nga:Roberto Arlt

 

Përshkrimi i librit:

Më poshtë tregimi "Burri me fanellë të thurur", i shkëputur nga përmbledhja.

Unë do ta quaja Gardiani i Pragut. Me siguri, ata që merren me shkenca okulte, për Gardian Pragu, do të kuptojnë ndonjë fantazmë molloke e të llahtarshme, e cila i shfaqet në planin yjor studentit që dëshiron të mësojë misteret e botës së përtejme. Por gardiani im i pragut ka tjetër pamje, të tjera sjellje, tjetër savoir-faire.

E kush nuk e ka parë? Kush është ai qorr që nuk e paska vënë re gardianin e pragut, burrin me fanellë të thurur? Ku fshihet ai miop, të cilit ende nuk i paska rënë në sy qytetari i ngulur te pragu i derës, që t’ia tregoj unë se ai është akoma gjallë dhe shëndosh e mirë?

Një prej stolive tërheqëse të pambarimta të qytetit tonë, është burri me fanellë të thurur. Zoti bëri hekurosësen dhe, sapo hekurosësja doli prej duarve të tij hyjnore me një shportë nën sqetull, Zoti, i papërtueshëm dhe i ditur, krijoi gardianin e pragut, burrin me fanellë të thurur.

Sepse të gjithë bashkëshortët e ligjshëm të hekurosëseve përdorin fanellë të thurur. Dhe nuk punojnë. Është e vërtetë që ata kërkojnë punë dhe që ato mësohen me faktin që puna e burrit të tyre është të kërkojë punë; por fakti është ky: ata veshin fanellë të thurur dhe bëjnë rojë te pragu i derës.

Kush nuk e ka parë duke kaluar?

Zakonisht hekurosëset jetojnë në ato shtëpitë, të cilat, në vend të kopshtit përpara shtëpisë, kanë një mur, një biçim muri rrethues a muri ndarës prej qerpiçi, ku shkruhet: “Larje dhe hekurosje rrobash”. Pastaj vjen një shkallë mermeri e pistë dhe, në shkallaren e fundit, vetmitar, në fill të fanellës së thurur, me mustaqet pincë, fytyrën e vrenjtur, jelen e nxirë, ninëzat e zymta, mbathur me pantofla, rri ulur gardiani i pragut, bashkëshorti i ligjshëm i hekurosëses.

Kur do të dalë një Sharl Lui Filip* që ta përshkruajë periferinë e qytetit tonë ashtu siç është? Kur do të shfaqet Kevedoja i zakoneve tona, Mateo Alemani i horrllëqeve tona, Urtado de Mendosa i dembelizmit tonë**?

Ndërkaq le të hyjmë në Underwood!

Hekurosësja u martua me burrin me fanellë të thurur kur ishte vajzë e re dhe e bukur. Eh sa e bukur dhe e hijshme ishte ajo asokohe! Buzët si lule shege dhe gërshetin e bollshëm. Nën sqetull shportën e mbështjellë me çarçaf.

Edhe ai ishte djalë i hijshëm. I binte kitarës tërë mjeshtëri.

Jetonin në një pension familjar. Djali u mendua mirë para se të merrte vendimin. E ëma e vajzës kishte një punishte. Ai e mendoi aq mirë sa, pas një historie dashurie me kitarë dhe vargje nga kënga e harruar “Picaflor porteño”***, u martuan ashtu siç e urdhëron Zoti. Pati ballo, urime, dhurata pazari dhe “plaka”

derdhi një pikë lot. Vërtet djali nuk ishte i keq, ama atij nuk i pëlqente hiç puna… Dhe plakat që rrinin rreth të zonjës së hallit thanë:

– E ç’t’i bësh, moj derëzezë? Kështu janë të rinjtë e sotëm…

Dhe kishin të drejtë, ata janë aq shumë ashtu sa, vetëm një javë pasi qenë martuar, burri me fanellë të thurur filloi të justifikohej se shefat e kishin zili dhe prandaj nuk qëndrontegjatë në asnjë punë, dhe më vonë ia këputi e i tha vjehrrës se puna që donin t’i jepnin nuk përputhej me “derën e tij të fisme”; dhe plaka, e cila vdiste për çështjen e derës së fisme, pasi kishte punuar si kuzhiniere e një gjenerali të fushatave të shkretëtirës****, e pranoi justifikimin, fillimisht duke mërmëritur nëpër dhëmbë, dhe në këtë mënyrë, ditë pas dite, burri me fanellë të thurur i bëri bisht punës, dhe, kur u kujtuan nënë e bijë, tashmë qe tepër vonë; ai ishte bërë zot i pragut. Kush e shkulte dot më që andej?

E kish zaptuar juridikisht dhe praktikisht pragun. Automatikisht ishte shndërruar në gardianin e pragut.

Qysh atëherë, çdo mëngjes pranvere dhe vere e kemi parë të ulur në shkallën prej mermeri apo prej çimentoje të pensionit; të patundshëm, vetmitar, me strehën e kapelës që i bën hije mbi sy, me trupin të ajrosur siç duhet nga birat e fanellës së thurur, me pantallonat e zeza të lidhura me rrip dhe pantoflat e shtypura te thembrat.

Mëngjes pas mëngjesi. Muzg pas muzgu. Ç’jetë për së mbari kjo e këtij qytetari! Ngrihet herët në agim dhe i ofron mate viktimës, duke i thënë: “E sheh se sa bashkëshort i mirë që jam?”. Pasi pi maten për qejf, kur dielli ka nisur të ngrihet, shkon te mejhania e qoshes të kthejë një gotë dhe, prej andej, pasi e ka ngrohur trupin dhe e ka sjellë në qejf shpirtin, gjerb ca mate të tjera, çapitet deri te punishtja e larjes dhe hekurosjes për të përshëndetur “komandantet” dhe më pas ngulet te pragu.

Pasdite ai bën një sy gjumë, ndërsa bashkëshortes së tij i del kurrizi vendit duke hekurosur. E pasi ka pushuar mirë, ngrihet shend e verë në orën katër, gjerb ca mate të tjera dhe, përsëri te pragu, ulet të sodisë njerëzit që shkojnë e vinë dhe të kridhet në atë pellgun e dembelizmit që e bën përherë më të heshtur dhe më filozofik.

Sepse burri me fanellë të thurur është filozof. E thotë fare mirë gruaja e tij:

– Ka një mëndje ai… por…

Ajo “por” thotë gjithçka. Filozofuesi ynë është Sokrati i pensionit familjar. Ai është njeriu që ndërhyn kur plasin ato shamatat e hatashme; ai është njeriu që e ngushëllon bashkëshortin e tradhtuar me dy fraza nga libri “Martin Fierro”*****; ai është njeriu që e bind kalabrezin të mos e kryejë krimin e rëndë të bijëvrasjes; ai është njeriu që, përballë një fatkeqësie, gjithmonë thërret në mënyrë patetike:

– Duhet ta pranoni, zonjë! Kështu është jeta. Merrni shembull nga unë. Unë nuk pikëllohem për asgjë.

Flet pak dhe me urtësi. Zotëron mençurinë e jetës dhe diturinë që i fal dembelizmi i zellshëm dhe i tepruar. Prandaj ai, me fanellën e tij të thurur dhe duke bërë rojë te pragu, është stolia më piktoreske e qytetit tonë.

 

Detaje të librit:

Shtëpia Botuese:  Pika pa Sipërfaqe

Botuar në: 2020

ISBN: 978-9928-185-85-3

Formati: me kapak të hollë

Fletët: 310

Gravura nga Buenos Airesi - Roberto Arlt

SKU: 978-9928-185-85-3
CHF22,50Price

    Thjesht paguani online
    Më kartë krediti, online banking ose më parapagim.

    Mundësitë e pagesës

    Transporti

    Socials

    • Facebook
    • Instagram

    Përfitoni nga ofertat tona

    Regjistrohu për newsletter tonë