nga: Arif Molliqi

 

Përshkrimi i librit:

Ky tekst i autorit Arif Molliqi, me titull “Lluka e Epërme nëpër shekuj”, në të gjitha masat i përgjigjet tipit të monografisë shkencore për këto arsye: Jep informacione për pozitën gjeografike të Llukës së Epërme; përshkruan relievin e saj, përbërjen e tokës, klimën, ujërat, jazet; botën bimore dhe shtazore, edhe kushtet për të jetuar dhe për t’u zhvilluar këto; ka shpjegime shkencore për toponimet dhe mikrotoponimet në Llukë të Epërme, për të cilat autori i referohet literaturës në gjuhën shqipe dhe asaj në gjuhë të huaj. Po nëpërmjet shpjegimit të tyre nxjerrë vjetërsinë e fshatit Llukë e Epërme, pastaj edhe të emërvendeve Verrishtë, Arat e Zefit, Vorret e Moçme, Drumi i Telit, Lumëbardhi, Vigu i Llukës, Ura e Haxhive e deri për bjeshkët e Zhlepit të Llukës së Epërme, për të cilat dikush nga ju ka protestuar vite më parë dhe, sigurisht, po dikush nga ju do të protestojë sërish në vitet e ardhshme; shkruhet gjerësisht për zhvillimin historik dhe shoqëror të Llukës së Epërme; për popullsinë e saj ndër vite, që nga shekulli i 13 e deri tash së voni.

 

Edhe zhvillimi ekonomik, urbanizmi dhe arkitektura popullore e Llukës së Epërme zënë vend në disa faqe të këtij libri. Shohim në kapitullin e katërt industrinë e vogël të dikurshme të Llukës, punimin e tirqve, të xhamadanëve, të jelekëve; gjurmët e disa mullinjve dhe të disa rrugëve e urave; kullat e para trekatëshe që s’i kishin fshatrat e tjerë dhe ato të mëvonshmet; ndërtimin dhe organizimin e tyre; pastaj shkatërrimin e të gjitha kullave nga serbët gjatë viteve 1998/1999.

Për popullsinë, familjet, fiset dhe lagjet e Llukës dhe për organizimin dhe ndarjen e tyre, Arif Molliqi shkruan duke u mbështetur në disa artikuj që janë publikuar në libra dhe në gazeta, por edhe nga rrëfimet që ka dëgjuar vetë nga të vjetrit, edhe të tjerët që i kanë dëgjuar nga baballarët e tyre e ky i ka shkruar në libër, duke përmendur emrin e atij që ka rrëfyer, ta zëmë, për prejardhjen e familjes së vet, se kush ishin të parët e tij, se ç’punë bënin, se kënd kishin lënë trashëgimtar. Ndërkaq, gjenealogjia e lagjeve dhe familjeve Babanaj, Kaqorraj, Memaj, Molliqaj, Muqaj, Mulaj, Neziraj, Sutaj, Tahirukaj, Thaqaj dhe degët e tyre përcillen me trungjet që kanë punuar disa nga bashkëpunëtorët e Arifit.

 

Detaje të librit:

Shtëpia Botuese: Armagedoni

Botuar në: 2017

ISBN: 978-9951-697-50-7

Formati: me kapak të hollë

Lluka e Epërme nëpër shekuj - Arif Molliqi

SKU: 978-9951-697-50-7
CHF22,50Price