nga: Jason Tomes & Bejtullah Destani
 
Përshkrimi i librit:
Si aristokrat i përkorë dhe i çuditshëm i një tradite të përveçme angleze, Aubrey Herbert ishte në pamje të parë mbrojtës i papërshtatshëm i nacionalizmit shqiptar. Madje, kjo është më e pakta që mund të thuhet. Shtatlartë, i hajthëm dhe paksa i kërrusur, me mustaqe dhe sy me qepalla të dendura, ai mbante një monokël, bënte shumë gjeste dhe veshjes i kushtonte shumë pak vëmendje. 
Brenda Anglisë – por sidomos jashtë saj – ai spikati me karakterin e tij të gjallë, tërheqës dhe të gjithanshëm. (Madje, ai u bë i pavdekshëm në letërsi si personazhi i Sandy Arbuthnotit në serinë e titulluar “Greenmantle” të librave me aventura të autorit John Buchan.) Por Herberti ishte edhe gjuhëtar i shquar, udhëtar i guximshëm dhe mendimtar i çiltër dhe i pavarur, i cili u mahnit nga Ballkani. 
Fill pas vizitës së tij të parë në këtë rajon në vitin 1904, si atashe nderi në Ambasadën Britanike në Kostandinopojë, e deri sa mbylli sytë në vitin 1923, ai u tregua i palodhur në fushatën e tij për kauzën shqiptare. Fillimisht i prezantuar me politikën dhe kulturën shqiptare përmes ndikimit të shërbyesit të tij mysliman shqiptar, Qazim Kukeli, Herberti u magjeps nga romantizmi dhe atmosfera e Shqipërisë, plot gjurmë dhe mbresa të një epoke tjetër. Ai udhëtoi shpesh në Shqipëri dhe bëri emër si ekspert për rajonin, madje u nderua me kërkesa të herëpashershme për të pranuar fronin shqiptar. Herberti ishte këmbëngulës, madje mendjemprehtë, në krijimin dhe shfrytëzimin e mundësive për ngritjen e çështjes së kombësisë shqiptare para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.
Magjepsja e tij ishte çarmatosëse dhe, siç zbulon ky vëllim, kjo aftësi, bashkë me lidhjet dhe njohjet me një numër të pafund personalitetesh, e bënë Herbertin një avokat e mbrojtës bindës për kauzën shqiptare – madje edhe më shumë se luftarakja Edith Durham. Miku i madh i shqiptarëve i bën jehonë angazhimit të Herbertit në Shqipëri gjatë gjithë jetës së tij, sipas fjaleve të atij vetë, nëpërmjet ditarëve dhe letrave të tij pa mbarim.
 
Detaje të librit:
Shtëpia Botuese: Artini
Botuar në: 2020
ISBN: 978-9951-803-42-7
Formati: me kapak të trashë
Fletët: 723

Miku më i madh i shqiptarëve Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme

SKU: 978-9951-803-42-7
CHF39,50Price